Projekti edukativ shëndetësor Fëmijë të vegjël, buzëqeshje të mëdha
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare Shërbimi Stomatologjik, më 19 nëntor, ka filluar realizimin e projektit edukativ shëndetësor nëpër çerdhet e komunës së Prishtinës.
Aktivitetet që do tëmbahen janë:
1. Hulumtimi i gjendjes së shëndetit oral (statusi dental dhe higjiena orale)
Ekipet tona, në përbërje nga specialistë të stomatologjisë së fëmijëve, do të bëjnë kontrolle të dhëmbëve të fëmijëve në kopshtet publike. Gjendja e tyre do të shkruhet në kartela dentare, ku një kopje e këtyre kartelave do tu jepet fëmijëve që të ua dërgojnë prindërve, në mënyrë që ata të jenë të informuar për shëndetin oral të fëmijëve të tyre, si dhe broshura informuese mbi rëndësinë e mbajtjes së higjienës orale dhe shkaktarëve të dëmtimit të dhëmbëve.
2. Promovimi i shëndetit oral
Ekipet tona, me anë të një modeli të dhëmbëve dhe një brushe, do ta demonstrojnë mënyrën e duhur të pastrimit të dhëmbëve, do tu flasin fëmijëve për dhëmbët, brushën, pastën me fluor, ushqimin e shëndetshëm, rëndësinë e larjes së dhëmbëve, kariesin etj. Nëpër çerdhe do të lihet nga një model i dhëmbëve, në mënyrë që edukatoret në të ardhmen tu demonstrojnë kohë pas kohe mënyrat e duhura të larjes së dhëmbëve.
3. Informimi
Gjatë kohës së realizimit të projektit, do të kujdesemi që opinioni të jetë i informuar për rëndësinë dhe mbarëvajtjen e projektit nëpërmjet mediave dhe, në fund, të informohen mbi raportin e gjendjes së shëndetit oral të fëmijëve nëpër kopshte të komunës së Prishtinës dhe do të dilet me rekomandime.
Projekti afërsisht do të zgjatë deri më 30 dhjetor. Pjesë e ekipeve që do të jenë në terren, janë dy stomatologe, specialiste të Stomatologjisë Preventive, dy asistentë stomatologu dhe dy mjeke stomatologe.
Sëmundjet orale, do të maten dhe vlerësohen me anë të indekseve, që janë të pranuara nga OBSH-ja dhe janë përcaktuar me qëllim të sigurimit të matjes objektive të statusit të shëndetit oral të një grupi të caktuar të popullatës, në këtë rast fëmijët në IP.
Rezultatet do të prezantohen përmes tabelave dhe grafikoneve, sipas raportit të gjendjes së shëndetit oral të këtyre fëmijëve, dhe do të dilet me rekomandime.