Drejtori Vitia takon pacientët e mjekët në Qendrën e Mjekësisë familjare në Prishtinë - 07 nëntor 2014
Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arben Vitia, në kuadër të vizitave sistematike në institucionet shëndetësore, u informua këtë javë lidhur me procesin e punës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).
Drejtori Vitia pati rastin të njihet për së afërmi me kërkesat e pacientëve të shumtë në këtë qendër.
Kjo ishte një vizitë rutinë duke e ditur se tash do të fillojë edhe sezoni i gripit dhe virozave të tjera për shkak të ftohjes së motit. Ne erdhëm që të shohim se sa janë të përgatitur stafi mjekësor, sa kanë material që të përballen me sëmundje të ndryshme, të cilat normalisht janë sëmundje të stinës. Në përgjithësi, QKMF është e furnizuar në sasi të mjaftueshme me materialin e nevojshëm, ndërsa Komuna angazhohet që ta sigurojë materialin që mungon dhe nuk është sjellë nga Ministria e Shëndetësisë, tha drejtori Vitia.
Ai foli edhe për infrastrukturën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe të disa shërbimeve të tjera që janë shumë të domosdoshme. Sipas tij, problemi kryesor është se infrastruktura nuk është e përshtatshme për personat me aftësi të kufizuar dhe personat e moshuar.
Brenda një kohe të shkurtër, do të intervenohet në infrastrukturë, me çrast do të bëhet një ashensor dhe të gjitha personat, pavarësisht moshës dhe aftësive të tyre, do të kenë mundësi që të kenë qasje në të gjitha shërbimet shëndetësore në QKMF, u shpreh drejtori Vitia.
Gjatë kësaj vizite, ishte e theksuar edhe prania e personave jo rezidentë të Komunës së Prishtinës, të cilët kërkonin shërbime shëndetësore në QKMF. Sipas Vitisë, ky është një problem me të cilin Prishtina përballet prej një kohë të gjatë për arsye se është një numër jashtëzakonisht i lartë i personave që vijnë gjatë ditës në Prishtinë dhe kërkojnë shërbime shëndetësore.