DITA BOTËRORE KUNDËR KANCERIT
Me rastin e Ditës Botërore Kundër Kancerit, e cila shënohet globalisht më 4 Shkurt, në kuadër të Programit për Edukim dhe Promovim Shëndetësor, QMF-të e Komunës së Prishtinës me profesionistët shëndetësorë, mjekët familjarë dhe infermierët familjare, sot me datën 6 Shkurt zhvilluan sesione ligjeruese vetdijësuese për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës për mësimdhënësit dhe nxënësit e klasëve të 8-ta dhe të 9-ta në SHFMU-të më të afërta të Prishtinës, si dhe në ambientet e QMF-ve me pacientët dhe komunitetin.
Aktiviteti kishte për qëllim ndërgjegjësimin lidhur me shkaqet, simptomat dhe masat e parandalimit të kancerit të qafës së mitrës. Kanceri i qafës së mitrës është një ndër shkaqet kryesore të vdekjes nga kanceri i grave në shumë vende nëpër botë, megjithatë me veprime parandaluese të duhura, si testimi i rregullt (PAP test) dhe vaksinimi me vaksinen kundër virusit të papillomës humane (HPV), kanceri i qafës së mitrës mund të parandalohet. Po ashtu, nëse diagnostikohet herët mund të shërohet. Gjithashtu njohja e simptomeve potenciale dhe konsultimi i menjëhershëm me mjekun janë thelbësore për një zbulim të hershëm dhe një trajtim të suksesshëm. Gjatë aktivitetit përveç këtyre njohurive bazike, u shpërndanë edhe materiale informuese edukativo-shëndetësore.
Në Ditën Botërore Kundër Kancerit, ne inkurajojmë të gjitha gratë dhe profesionistët shëndetësorë të bashkohen në përpjekjet për të luftuar këtë sëmundje të rëndë. Bashkohuni në përpjekjet tona për të zvogëluar shkallën e kancerit të qafës së mitrës dhe për të promovuar shëndetin dhe mirëqenien për të gjitha gratë kudo në botë.