TETORI ROZË





Gjatë muajve shtator dhe tetor u organizuan një sërë aktivitetesh me qëllim informimin dhe sensibilizimin e qytetarëve, komunitetit për rëndësinë e parandalimit, diagnostikimit të hershëm dhe trajtimit efektiv të sëmundjes së kancerit të gjirit.
Më 14 shtator në sheshin “Skënderbeu”, qytetarët e Prishtinës u bashkuan në aktivitetin madhështor “Race for the Cure – Vrapo për shëndet”, një kauzë globale e dedikuar rritjes së ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit – një prej sfidave më të mëdha shëndetësore për gratë – si dhe mbështetjes së grave të prekura dhe të mbijetuara nga kjo sëmundje.
Pjesëmarrës ishin shumë qytetarë përfshirë Kryetarin e Prishtinës, drejtorin e DSH-së, anëtarë të kabinetit, menaxhmentin e QKMF-së, profesionistët e KPSH-së, partnerët nga AQH dhe qytetarë të shumtë të angazhuar.
Aktivitetet vazhduan gjatë gjithë muajit tetor, muajit Rozë me mjekët familjarë dhe infermierët familjarë në ambientet e QKMF-së, dhe QMF-ve të komunës së Prishtinës me pacientët, qytetarët, qytetarët e komunitetit RAE në ambientet e SHFMU-ve të komunës së Prishtinës me mësimëdhënës, stafin e shkollës dhe prindër të nxënësve.
Gjatë aktiviteteve u diskutua rëndësia e kontrollave të rregullta, roli i mamografisë dhe ultrazërit të gjinjëve si dhe u shpërndanë materiale edukativo-shëndetësore.
Muaji Rozë u përmbyll me organizimin e ngjarjes për lansimin e “Informatorit për Hapat e Ekzaminimit të Gjirit për Gratë” në ambientet e QKMF-së.
Drejtoria e Shëndetësisë e Komunës së Prishtinës, në bashkëpunim me Action for Mothers and Children (AMC), SHSKUK-në, Klinikën e Kirurgjisë Torakale dhe Klinikën e Onkologjisë për herë të parë prezentojnë Informatorin për Ekzaminimim e Gjirit për Gratë.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama, i cili theksoi rëndësinë e informatorit si udhërrëfyes për parandalim, informim dhe mbështetje për gratë, si dhe njoftoi për investimet e reja në mamografë dhe ofrimin e shërbimeve falas.
Informatori synon të rrisë ndërgjegjësimin për ekzaminimin e rregullt të gjirit dhe zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Të bashkohemi të gjithë për një të ardhme me plotë shëndet dhe pa kancer të gjirit, kujdesi dhe kontrolli i hershëm shpëton jetë.








